Në ambientin e hapur të restorant “Eleganca”, u bë promovimi i dy librave të botuara kohëve të fundit nga Shoqata Kulturore “DITURIA”.

Bëhet fjalë për dy librat e përkthyera nga Reshat Musliu nga gjuha arabe.

Librat e përkthyera janë: “1000 pyetje dhe përgjigje rreth islamit” , të autorit dr. Muhamed Ibrahim el – Masri dhe “Problemet edukative në jetën e fëmijëve tuaj”, të autorit Muhamed Reshid el – Uvejd.

Eventin e promovimit e moderoi Majlinda Hyseni.

Dy panelistët e ftuar ishin Nexhmedin Ademi drejtor i Sh.K. “Dituria” dhe Latif Mustafa publicist i njohur nga Presheva.

z. Ademi para një audience të respektuar theksoi përkushtimin e shoqatës që të dallohet në fushën e edukimit dhe botimeve. Ai përmendi se libri “1000 pyetje dhe përgjigje rreth Islamit”, ofron njohuri të mjaftueshme për të gjitha nivelet e lexuesve.

Latif Mustafa u përqendrua në problemet me të cilat ballafaqohemi me fëmijët gjatë edukimit. Ai bëri një vështrim kritik edhe rreth ideve të librit duke përmendur ide shtesë krahas zhvillimeve të reja në botën e evoluimit të komunikimit me aktualitetin. Ai përmendi se “DITURIA” që nga fillimet e saja preokupim e ka pasur librin, dhe është kënaqësi që sot po bëjmë promovimin e këtyre dy librave.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë z. Sevdail Jakupi.

Në fund me një fjalë rasti përkthyesi Reshat Musliu falënderoi të pranishmit dhe donatorët e këtij botimi.

Në përfundim të promovimit u shtrua një koktej rasti dhe u shpërndan nga një libër për të pranishmit.

Shërbimi për informim pranë Shoqatës Kulturore “Dituria”.

04. 7. 2020

Preshevë